Çështja e parë: Zemra – aparat i të kuptuarit dhe i të menduarit
Në këtë hyrje biseda shkurtimisht do të trajtohet nga dy aspekte:
1- Zemra konsiderohet aparat i të kuptuarit dhe logjikës;
2- Zemra është në duart e Allahut, të Vetmit, që nuk ka shok.
Sa i përket aspektit të parë, lidhur me këtë flasin shumë argumente. Ekzistojnë më se njëqind ajete kuranore, porse në këtë pjesë do të mjaftohem me përmendjen e vetëm tri prej tyre, të cilat kanë argumentim të qartë në këtë çështje. Ato janë:
Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne kemi vënë perde në zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin).” (Kehf, 57)
Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (Haxh, 46)
Dhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk i ka dhënë asnjë njeriu dy zemra në kraharor.” (Ahzab, 4)
Këtu nuk është vendi për t’u zgjeruar në këtë çështje e as vënia e bazës së saj, porse synimi i vetëm është rikujtimi se zemra konsiderohet aparat i të kuptuarit, të menduarit dhe të perceptuarit, rrjedhimisht edhe kuptimi i Kuranit e meditimi (përsiatja) e tij.
Aspekti i dytë: Zemra është në dorën e Allahut, të Vetmit, që nuk ka shok. Me urtësinë dhe me dijen e Tij e hap dhe e mbyll kur të dojë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij…” (Enfal, 24) Gjithashtu thotë: “Ne kemi vënë perde në zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin).” (Kehf, 57)
Lidhur me këtë ka caktuar shkaqe dhe mënyra. Ai që i përfill, do të jetë i suksesshëm, kurse ai që i shpërfill, do të jetë i zhgënjyer. Për këtë do të flitet në çështjet vijuese.
Teksa orvatesh ta kuptosh Kuranin, ki parasysh se zemrat janë në dorën e Allahut të Lartësuar dhe se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij. Nuk është çështja te metoda dhe mënyra, por suksesi është prej Allahut, të Vetmit. Meditimi, që ti e arrin, konsiderohet dhunti madhore nga ana e Allahut, e cila kërkon falënderim e jo mburrje. Sa herë që Allahu ta mundëson kuptimin e Kuranit e t’i hap domethëniet e tij, falënderoje të Lartësuarin dhe kërko shtim. Këtë begati atribuoja vetëm Atij, askujt tjetër, si dhe pranoje haptas e fshehtas.
Shkëputje nga libri: Çelësat e meditimit të Kuranit dhe suksesit në jetë


