Surja Lukman 12

Surja: Lukman, 12

“Ne i patëm dhënë Llukmanit mençuri të përsosur (e i thamë): Të falënderosh All-llahun, e kush falënderon, e mira e atij falënderimi i takon atij, e kush refuzon (edhe ai e ka për vete), në të vërtetë, All-llahu nuk ka nevojë (për falënderimin e tij) pse Ai vetë është i lavdishëm.”

Ibn Xheriri thotë që Lukmani ishte një skllav abisinas dhe zdrukthëtar. Një ditë, zotëria i tij e urdhëroi Lukmanin që të therte për të një dele, dhe pastaj i tha: “Na sill dy pjesët më të mira të saj!” Ai i solli gjuhën dhe zemrën. Pasi kaloi njëfarë kohe, zotëria i tij e urdhëroi që të therte për të një dele, dhe pastaj i tha: “Na sill dy pjesët më të këqija të saj!” Ai i solli përsëri gjuhën dhe zemrën. Atëherë, zotëria i tha: “Të urdhërova që të sillje më të mirin mish prej saj, dhe ti solle gjuhën dhe zemrën. Edhe kur të urdhërova të sillje më të keqin mish prej saj, nxore po gjuhën dhe zemrën?” Lukmani iu përgjigj: “Nuk ka gjë më të mirë se ato, nëse ato synojnë mirësinë dhe nuk ka gjë më te keqe se ato, nëse ato synojnë ligësinë.”

Njëherë, dikush e pyeti Lukmanin: “Si e arrite këtë gradë urtësie dhe mençurie?” Ai tha: “Sinqeriteti në të folur dhe heshtja apo largimi nga çdo gjë që nuk më intereson.”

Njëherë, e pyeti sërish dikush se si e kishte arritur gradën e lartë të mençurisë dhe urtësisë, dhe ai iu përgjigj: “O biri i vëllait tim! Nëse dëgjon me vëmendje atë që të them, edhe ti do të bëhesh si unë: Ule shikimin, ruaje gjuhën tënde, ji i kujdesshëm në ushqimin që ha! Unë kam ruajtur dëlirësinë morale, kam folur gjithmonë të vërtetën, i kam mbajtur gjithmonë premtimet, e kam nderuar gjithmonë mikun që më ka vizituar, e kam mbrojtur komshiun dhe i jam larguar gjithmonë asaj që nuk më ka interesuar. Këto më kanë bërë kështu si më sheh.”

Tefsiri İbn Kethir

Oaza e Besimit
Oaza e Besimit
Articles: 10