DASHURIA NDAJ KURANIT

Çështja e parë: Zemra – aparat i të kuptuarit dhe i të menduarit 

Në këtë hyrje biseda shkurtimisht do të trajtohet nga dy  aspekte: 

1- Zemra konsiderohet aparat i të kuptuarit dhe logjikës; 

2- Zemra është në duart e Allahut, të Vetmit, që nuk ka  shok. 

Sa i përket aspektit të parë, lidhur me këtë flasin shumë argumente. Ekzistojnë më se njëqind ajete kuranore, porse në këtë pjesë do të mjaftohem me përmendjen e vetëm tri prej  tyre, të cilat kanë argumentim të qartë në këtë çështje. Ato janë:  

Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne kemi vënë perde në zemrat e  tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin).” (Kehf, 57) 

Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata  nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të  dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në  këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (Haxh, 46) 

Dhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk i ka dhënë asnjë  njeriu dy zemra në kraharor.(Ahzab, 4)

Këtu nuk është vendi për t’u zgjeruar në këtë çështje e as vënia  e bazës së saj, porse synimi i vetëm është rikujtimi se zemra  konsiderohet aparat i të kuptuarit, të menduarit dhe të perceptuarit, rrjedhimisht edhe kuptimi i Kuranit e meditimi  (përsiatja) e tij. 

Aspekti i dytë: Zemra është në dorën e Allahut, të Vetmit, që  nuk ka shok. Me urtësinë dhe me dijen e Tij e hap dhe e mbyll  kur të dojë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ta dini se Allahu  ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij…” (Enfal, 24)  Gjithashtu thotë: “Ne kemi vënë perde në zemrat e tyre, që të  mos e kuptojnë atë (Kuranin).” (Kehf, 57) 

Lidhur me këtë ka caktuar shkaqe dhe mënyra. Ai që i përfill, do  të jetë i suksesshëm, kurse ai që i shpërfill, do të jetë i  zhgënjyer. Për këtë do të flitet në çështjet vijuese. 

Teksa orvatesh ta kuptosh Kuranin, ki parasysh se zemrat janë  në dorën e Allahut të Lartësuar dhe se Allahu ndërhyn midis  njeriut dhe zemrës së tij. Nuk është çështja te metoda dhe  mënyra, por suksesi është prej Allahut, të Vetmit. Meditimi, që ti e arrin, konsiderohet dhunti madhore nga ana e Allahut, e cila  kërkon falënderim e jo mburrje. Sa herë që Allahu ta mundëson  kuptimin e Kuranit e t’i hap domethëniet e tij, falënderoje të Lartësuarin dhe kërko shtim. Këtë begati atribuoja vetëm Atij, askujt tjetër, si dhe pranoje haptas e fshehtas. 

Shkëputje nga libri: Çelësat e meditimit të Kuranit dhe suksesit në jetë

oazaebesimitgv@gmail.com
oazaebesimitgv@gmail.com
Articles: 6